Kur i shikojmë ngjyrat, vërejmë se ato dallohen dhe këtë në disa mënyra. Disa prej tyre simbolizojnë dritën, diellin, ngrohtësinë dhe këto janë ngjyrat e ngrohta që përbëhen nga e verdha, e kuqja dhe nga ngjyra portokalli. Ngjyra e kuqe është më e ngrohta në gjithë spektrin, ajo është energjike, intensive dhe tërheq vëmendjen. Shumica e disajnerëve do ju thonë se nuancat e ngrohta janë ato që në vete përmbajnë një sasi më të madhe të ngjyrës së verdhë ose të kuqe.
Ngjyrat e ngrohta në natyrë ose në enterier krijojnë ndjenjën se i afrohen vështruesit.
Në anën tjetër janë ngjyrat që na e përkujtojnë ujin, qiellin dhe qetësinë. Këto janë e kaltra, e gjelbra dhe nuacat e ndritshme të ngjyrës vjollcë (lavanda dhe jorgovani). Me fjalë të tjera, secila ngjyrë e cila përmban në vete të kaltrën është ngjyrë e ftohtë. Tonet e errëta të ngjyrës vjollcë, me një pjesëmarrje të fortë të ngjyrës së kuqe, kanë më tepër veçori të nuancave të ngrohta. Përndryshe, secila ngjyrë e ngrohtë mund ta posedojë edhe pamjen e vet të ftohtë dhe një intensitet të dobët nëse asaj i shtohet ngjyra e bardhë.
Nëse i vështrojmë muret ose fotografitë në të cilat mbizotërojnë ngjyrat e ftohta na duket sikur ato largohen nga ai që i vështron.
Ekzistojnë edhe ngjyra neutrale të cilat nuk mund t’i radhisim në asnjërin prej këtyre grupeve, e këto janë e bardha dhe e zeza, bezh, e murrmja dhe ngjyra gështenjë.
E ngrohta apo e ftohta-zgjidhja është në baraspeshë
Enterieristët shpeshherë i përdorin karakteristikat e ngjyrave të ngrohta dhe të ftohta për të krijuar një ambient përkatës në hapësirën e caktuar. Po ashtu, njohja e mirë e veçorive të ngjyrave mund të na ndihmojë që në hapësirë të mënjanohen disa prej të metave dhe të vihen në pah përparësitë. Prandaj, nëse planifikoni rregullimin e mjedisit banesor ose biznesor, më së miri është që t’i drejtoheni ekipit profesionist. Kjo njëkohësisht është garanci se, me materialet cilësore dhe njohuritë praktike profesionale, do të realizoni një harmoni të plotë të dëshirave, nevojave dhe mundësive t’uaja.
Megjithatë, do ishte mirë që edhe vetë t’i njihni disa prej rregullave themelore të përdorimit të nuancave të ngrohta dhe të ftohta në sipërfaqet e mureve. Eshtë me rëndësi të mbani mend se në asnjë hapësirë nuk bën të jenë ekskluzivisht nuancat e ngrohta ose të ftohta. Gjithmonë duhet të kombinohen varësisht nga efekti që dëshironi ta arrini. Sikur edhe tek të gjithë elementët e dekorimit, është e nevojshme baraspesha ose kontrasti.
Atmosferës së ngrohtë ose intime i kontribuojnë ngjyrat e ngrohta si mbizotëruese në eneterier. Nuancat e ngrohta janë të përshtatshme edhe për hapësira më të mëdha, të cilat në aspekin pamor do të duken më të vogla dhe më të këndshme. Këto ngjyra janë ideale për hapësirat në të cilat mungon drita natyrore dhe që janë të kthyera nga veriu. Shpesh janë të pranishme në trepezari, kuzhina dhe në dhoma të ndenjes. Tonet e ftohta në aspektin pamor i bëjnë më të mëdha hapësirat e vogla, ndërkaq hapësirat e ngrohta i bëjnë më të ftohta, më të qeta dhe më të këndshme për qëndrim. Nuancat e ftohta do u japin qetësinë e nevojshme hapësirave të destinuara për pushim, siç janë dhomat e gjumit. Rekomandohen edhe për enterierë që janë të kthyer nga jugu.
Në fund, nuk është aq e rëndësishme se a do ta përzgjedhni një ngjyrë mbizotëruese, ndërsa për detajet ngjyrën tjetër apo gjithçka të shpërthejë nga koloriti. Po ashtu, nuk është me rendësi se sipas cilës skemë i përshtatni ngjyrat. Qëllimi final është që ta arrini harmoninë dhe ritmin e duhur ndërmjet ngjyrave që i përgjigjen shijes e temperamentit t’uaj në mënyrë që të krijoni ambientin në të cilin do të ndjeheni mirë.















